BRIGAID- Katastrofat natyrore mund të mposhten nga ide/produkte novatore

E hënë, 4 September 2017

Data 1 Tetor shënon përfundimin e afatit të aplikimeve për prezantimin e ideve novatore, në projektin BRIGAID “Kapercimi i barrierave ne fushën e inovacionit në funksion të rekuperimit nga katastrofat”. Idetë e propozuara do të kenë në fokus tre komponentë kryesorë  të ndryshimeve klimatike, Përmbytjet, Thatësirat dhe Moti ekstrem dhe konkretisht përdorimin  e produkteve dhe zgjidhjeve praktike, të shpejta dhe efikase për kapercimin e katastrofave natyrore.

Projekti BRIGAID, partneri shqiptari i të cilit është Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, ka si qëllim përthithjen e ideve novatore në kontekstin shqiptar. Idetë më të sukseshme do të përzgjidhen për t’u zhvilluar dhe testuar nga projekti. Idetë më të mira, novatore dhe efikase do të ndihmohen nga projekti BRIGAID të dalin në treg në mënyrë që në momente fatkeqësish natyrore të luajnë rolin e tyre për të zbutur apo shmangur dëmet e mundshme të fatkeqësive  natyrore. 

Në kuadër të punës së projektit, AKPT ka krijuar dhe evidentuar  rrjetin e  bashkëpunëtorëve të përbërë nga inovatorë, kërkues shkencorë, akademikë, njerëz me ide novatore si dhe institucione shtetërore që mund të jenë përfitues të ideve dhe produkteve fundore.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, si partnere e projektit BRIGAID, ka komunikuar dhe shpërndarë informacionin mbi projektin, produktet, si dhe risitë e tij tek bashkëpunëtorët lokalë, grupet e interesit, autoritetet vendore, rajonale e qëndrore, të cilët janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike dhe duan të kenë një kontribut duke u bërë pjesë e përpjekjes globale.

Në muajin Prill të vitit 2017 është mbajtur në Tiranë Takimi i Parë Kombëtar për prezantimin e projektit dhe për krijimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve. Pas muajit Prill e deri më tani janë organizuar rreth 20 takime me bashkëpunëtorët më potencial novator, si dhe është prezantuar projekti në një Sympozium të Katastrofave Natyrore, të organizuar në Tiranë nga një universitet jopublik.  Takimet janë organizuar me njësi kërkimore të universiteteve publike dhe private, me kompani të profilizuara në krijimin e  novacioneve,  si edhe me institucionet publike.

Përfundimi i procesit të aplikimit, përzgjidhja e ideve fituese nga lideri i projektit Univesiteti i Teknologjisë “TUDelft”, vijon me procesin e testimit dhe të implementimit të produkteve novatore. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, do të ndihmojë projektin BRIGAID gjatë testimit të këtyre produkteve on-site në Shqipëri; me planifikimin dhe projektimin e një vendi testimi me kushtet teknike dhe natyrore të përshtatshme.

Më tepër informacione mbi mënyrat e aplikimit për ide novatore gjeni në :

brigaid.albania@planifikimi.gov.al

+355 69 281 2877