Dëgjesë Publike mbi Fazën e Strategjisë Territoriale të hartimit të PPV-së, Bashkia Malësi e Madhe

E enjte, 2 March 2017

Në ambientet e bar “Sheran” të Gruemirës në Bashkinë Malësi e Madhe, më datë 02.03.2017, ora 10:00 dhe në Bajzë në 14:00, u mbajtën dëgjesat publike mbi “Prezantimin e dokumentit të Strategjisë Territoriale” në kuadër të hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, për bashkinë Malësi e Madhe.

Pjesëmarrës në dëgjesë ishin përfaqësues të studiove konsulente për hartimin e PPV-së për bashkinë Malësi e Madhe, përfaqësues të AKPT-së, përfaqësues të bashkisë Malësi e Madhe dhe intelektualë të fushave të ndryshme etj.

Në takim u diskutua mbi strategjinë dhe vizionin që po ndiqet nga grupi i punës mbi zhvillimin e zonës. Ky ishte takimi i parë që u fol në detaj për zonat duke u vënë theksi mbi karakterin e zhvillimit të cilit do i përqasen zonat me karakter të veçantë. Theksi u vu kryesisht mbi zonën Bregliqenore, Alpet, zonat me burime të pasura ujore dhe zonat e dendura pyjore. Në dëgjesë u diskutua gjithashtu edhe aspekti mjedisor ku theksi u vu mbi dy ligje: për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor.

Çështjet që u ngritën nga pjesëmarrësit në takim kishin të bënin me:

  • Mangësitë e hapësirave kulturore dhe problematikat e atyre ekzistuese;
  • Problematikat e infrastrukturës;
  • Problematikat me aplikimin e ligjit për ndarjen e pronave.