Dëgjesë Publike për njoftimin e marrjes së Nismës për hartimin e PPV-së, Bashkia Gramsh

E mërkurë, 30 August 2017

Bashkia Gramsh, më datë 30.08.2017, ora 10:00, organizoi dëgjesën publike për marrjen e Nismës për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor.

Pjesëmarrës në dëgjesë ishin përfaqësues të studiove konsulente për hartimin e PPV-së për bashkinë Gramsh, përfaqësues të AKPT-së, përfaqësues të bashkisë Gramsh dhe intelektualë të fushave të ndryshme etj. Të pranishëm ishin rreth 100 persona.

Në dëgjesë u prezantua në mënyrë të përmbledhur procesi nëpër të cilin kalon hartimi i dokumentit të Planit të Përgjithshëm Vendor,  duke u ndalur në këto pika:

 

 

 

  • Pse hartohet Plani i Përgjithshëm Vendor;
  • Përmbajtja e Planit të Përgjithshëm Vendor:
  1. Dokumenti i Strategjisë Territoriale;
  2. Dokumenti i Planit të Zhvillimit;
  3. Dokumenti i Rregullores;
  4. Dokumenti i Vlerësimit Strategjik Mjedisor;
  5. PIK  (Plani i Investimeve Kapitale).
  • Përshtypjet e marra nga vizitat në terren:
  1. Peizazhi dramatik;
  2. Lidhja e elementeve: zonë urbane-natyrë-ujë;
  3. Lugina e Devollit;
  4. Kanionet;
  5. Liqenet;
  6. Natyra.
  • Takimet e parashikuara, ku janë planifikuar të paktën edhe 5 dëgjesa të tjera publike;
  • Përbërja e grupit të punës së studios konsulente dhe stafit të bashkisë;
  • Ngritja e Forumit Këshillimor Vendor dhe rëndësia e tij;
  • Timeline i procesit të punës së hartimit të PPV-së deri në miratimin e tij;
  • Financuesit e procesit.

 

Pas përfundimit të prezantimit u zhvillua dhe diskutimi mbi materialin e prezantuar. Çështjet që u ngritën nga pjesëmarrësit në takim kishin të bënin me:

  •  Cili do të jetë procesi i zhvillimit të zonave rurale të pazhvilluara, të cilat kanë edhe vështirësi aksesi në sajë të infrastrukturës së dobët rrugore?
  • Zonat rurale po përballen me një nevojë për zgjerim të sistemit urban, çka mund të sjellë një konvertim të sistemit bujqësor.
  • Infrastruktura rrugore është në gjendje të mirë për akset kryesore, por mungon/është në gjendje të dobët për akset e brëndshme, jo vetëm brenda zonave rurale por edhe lidhja midis tyre.
  • Cili do të jetë ndikimi i drejtpërdrejtë i planit te banorët e bashkisë?
  • Zhvillimi i turizmit është i rëndësishëm për territorin e bashkisë, por më e rëndësishme është zhvillimi i bujqësisë për të rritur mirëqenien e jetesës së banorëve.
  • Takimet me grupet e interesit dhe me shoqërinë civile, nuk duhet të përqendrohen vetëm në qytetin e Gramshit, por në të gjitha njësitë administrative të bashkisë.
  • Në zonën e Gramshit janë gjendur disa rrënoja të qytetërimeve antike dhe besohet se mund të ketë edhe rrënoja të tjera. Duhet patur parasysh ky fakt gjatë mbledhjes së të dhënave për analizën, për evidentimin e këtyre zonave.
  • Është i nevojshëm krijimi i një landfilli, për menaxhimin e mbetjeve urbane, ose krijimi i një rrjeti menaxhimi dhe mirëmbajtjeje i gropave septike.
  • Të dhënat e popullsisë duhet t’i referohen gjendjes civile, pasi kanë ndryshime nga të dhënat e INSTAT-it.
  • Ka probleme me rrjetet e ujësjellës-kanalizimeve në zonat rurale, si edhe me furnizimin me ujë të pijshëm.

 

Në fund të diskutimit u sqarua se takimi i organizuar ishte prezantues dhe procesi i punës do të vijojë edhe me takime të tjera, jo vetëm me grupin e punës së bashkisë, por edhe me grupe me të vogla interesi në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Gramsh, gjatë vizitave në terren.