Planet e Përgjithshme Vendore

Procesi i Hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV) në Republikën e Shqipërisë
2015 – 2017

      

61 Njësi Vendore

        31 PPV të hartuara

             19 PPV të miratuara

             12 PPV në proçes miratimi

        6 PPV në proces hartimi

        7 PPV po nisin procesin e hartimit

        17 bashki në pritje të financimit për të filluar punën

 

Në zbatim të Ligjit Nr. 107/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, i ndryshuar, neni 9, si dhe VKM Nr. 427, datë 08.06.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit”, Kreu III, Agjencia Kombëtare për Planifikimin e Territorit (AKPT) është autoriteti përgjegjës për:

1. Të bashkërenduar, në përgjithësi, procese të hartimit të dokumenteve të planifikimit të territorit, të cilat ndërmerren nga autoritetet e planifikimit në nivel qendror e vendor;


2. Të siguruar që hartimi i dokumenteve të planifikimit të territorit, në nivel qendror dhe vendor, të jetë në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, përmes ofrimit të ndihmës teknike për autoritetet përgjegjëse për planifikimin e territorit;


3. Të bashkërenduar vlerësimin e përputhshmërisë së dokumenteve të planifikimit në shqyrtim me Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit dhe planet e tjera kombëtare, mbi bazën e parimit të hierarkisë së dokumenteve të planifikimit, si dhe kontrollin e tyre me të dhënat elektronike bazë dhe normat teknike të planifikimit.

 

ARRITJET E DERITANISHME

26 PPV-të e para të mbështetura nga MZHU

1. Në zbatim të VKM Nr. 671, datë 29.07.2015 “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit të Territorit” dhe në zbatim të VKM Nr. 670, datë 29.07.2015 “Për ngarkimin e Ministrisë së Zhvillimit Urban për kryerjen e procedurave të prokurimit për realizimin e konkursit të projektimit për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për 26 bashki”, ka filluar dhe është në përfundim procesi i hartimit të planeve të përgjithshme vendore për disa bashki.


2. Me mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare, Ministria e Zhvillimit Urban (MZHU) nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, ka udhëhequr procesin teknik të hartimit dhe miratimit të Planeve të Përgjithshme Vendore për 26 (njëzetegjashtë) bashki, përkatësisht, bashkitë Lezhë, Kurbin, Krujë, Dibër, Kukës, Durrës, Shijak, Vorë, Divjakë, Kavajë, Rrogozhinë, Gjirokastër, Skrapar, Ura-Vajgurore, Poliçan, Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Cërrik, Librazhd, Prrenjas, Korçë, Pogradec, Tiranë, Shkodër.


3. Nga këto janë miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT), Planet e Përgjithshme Vendore për bashkitë: Kurbin, Krujë, Dibër, Kukës, Divjakë, Gjirokastër, Skrapar, Ura-Vajgurore, Poliçan, Cërrik, Librazhd, Prrenjas, Korçë, Tiranë.

 

5 PPV-të e mbështetura nga USAID-PLGP

Me mbështetjen financiare të Programit USAID-PLGP janë hartuar dhe më pas janë miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit Planet e Përgjithshme Vendore për 5 (pesë) bashki, përkatësisht bashkitë Berat, Kuçovë, Fier, Lushnje dhe Elbasan;

 

5 PPV-të e mbështetura nga DLDP

Me mbështetjen financiare të Qeverisë së Zvicrës nëpërmjet programit DLDP, janë në proces hartimi Planet e Përgjithshme Vendore për 5 (pesë) bashki, përkatësisht bashkitë Tropojë, Vau-Dejës, Malësi e Madhe, Klos, Mat.

 

7 PPV-të e dyta të mbështetura nga MZHU

Me mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare, Ministria e Zhvillimit Urbannëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, do të nisë punën për udhëheqjen e procesit teknik për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për 7(shtatë) bashki, përkatësisht, bashkitë Pukë, Mirditë, Belsh, Gramsh, Përmet, Këlcyrë, Kolonjë.

 

PPV me iniciativë të pavarur 

Me mbështetjen e Universitetit Polis, Bashkia Dropull ka ndërmarrë nismën për fillimin e procesit dhe po punon për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor për territorin e saj administrativ.

 

Secili nga këto procese planifikimi ndiqet hap pas hapi nga stafi i koordinatorëve të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, të cilët asistojnë bashkitë dhe grupet e punës në shumë fronte të procesit. AKPT-ja është  mbi të gjitha përgjegjëse për bashkërendimin e çështjeve objekt planifikimi mes aktorëve në nivel vendor e qëndror, si edhe shërben si garant për respetimin e legjislacionit të planifikimit dhe atij sektorial që lidhet me territorin.

***

Këtu gjendet harta e ndarjes territoriale, ku ilustrohet procesi i planifikimit të territorit vendor në Republikën e Shqipërisë. Harta dhe teksti shoqërues janë subjekt përditësimi.

Informacion mbi Kontrollet dhe Aktet e Përputhshmërisë së Dokumenteve të Planifikimit Vendor gjeni në lidhjen: Këtu 

Informacion mbi vendimet e miratimit të Planeve të Përgjithshme Vendore gjeni në lidhjen: Këtu