Vizitë në terren në kuadër të hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, bashkia Belsh dhe Gramsh

E mërkurë, 30 August 2017

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, zhvilloi më datë 28.08.2017 deri më datë 30.08.2017 vizitë në terrenin e bashkive Belsh dhe Gramsh, për njohje të territorit në kuadër të fillimit të procesit për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore të bashkive respektive.

Vizita në terren u zhvillua për 3 ditë.

 

 

 

 

 

 

Dita 1(28.08.2017):

Takim me stafin e zyrës së Urbanistikës së bashkisë Belsh, ku u informuam mbi ecurinë e procesit të hartimit të PPV-së, mbledhjen e të dhënave si edhe një përshkrim të shkurtër të problematikave me të cilat përballen banorët e bashkisë, të cilat përmblidhen si më poshtë:

  • Ka mungesë të theksuar të rrjetit të ujësjellës kanalizimeve, ku më problematike janë ujërat e zeza të cilat derdhen në liqen në zonë të urbanizuar;
  • Njësia administrative e Fierzës nuk ka të dhëna kadastrale;
  • Mungojnë shërbimet publike, banka, çerdhe, stacion zjarrëfikëse, shkolla në një pjesë të zonave rurale etj.
  • Kulturat të cilat kultivohen më tepër janë: duhani, ulliri, vreshtaria dhe së fundmi ka filluar tradita e kultivimit të shefranit (fshati Dëshiraj).

 

Pikat më përfaqësuese të bashkisë, sipas vizitës, janë:

  • Fshati Seferan dhe Liqeni i Seferanit (monument natyre).
  • Liqeni i Mroes i cili njihet si liqeni më i pastër dhe më i thellë në territorin e bashkisë.
  • Liqeni i Degës i cili është monument natyre.
  • Hinka e Kosovës e cila është monument natyre me vlera gjeografike dhe gjeomorfologjike.
  • Liqeni i Merhojës.
  • Pylli i Beligut.

 

Dita 2 (29.08.2017):

Pas zhvillimit të dëgjesës publike, mbi marrjen e Nismës për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, u zhvillua një takim 3-palësh midis AKPT-së, studios hartuese të planit dhe stafit të bashkisë Belsh. Pikat të cilat u diskutuan gjatë takimit përmblidhen si më poshtë:

  • Nuk ka një pikë grumbullimi të produkteve bujqësore dhe gjithashtu duhet studiuar territori i qytetit për të rialokuar tregun, i cili aktualisht zhvillohet ditën e shtunë pranë rrugës hyrëse perëndimore të qytetit.
  • Në interesin e bashkisë është ndalimi i peshkimit si aktivitet, në disa prej liqeneve më të mëdha të bashkisë, të cilët mund të shfrytëzohen për turizëm.
  • Duhet të nxiten sa më shumë aktivitetet dhe shërbimet kulturore.
  • Përgjatë liqenit të Belshit parashikohet ndërtimi i një parku me gjerësi 23m, projekt i ndihmuar nga USAID. Zhvillimi i sistemit urban dhe tipologjia e ndërtesave sipër parkut mbetet çështje e hapur për diskutim.

Pas takimit me bashkinë Belsh, u vijua vizita në territorin e bashkisë Gramsh. Vizita u përqendrua në Kanionin e Holtës, i cili është monument natyre.

 

Dita 3 (30.08.2017):

Pas zhvillimit të dëgjesës publike, mbi marrjen e Nismës për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, u zhvillua një takim 3-palësh midis AKPT-së, studios hartuese të planit dhe stafit të bashkisë Gramsh. Pikat të cilat u diskutuan gjatë takimit përmblidhen si më poshtë:

  • Ecuria e projekteve të financuara nga bashkia, në bashkëpunim me Co-Plan, mbi krijimin e një kompleksi sportiv në hyrje të qytetit dhe ndërtimin e një rruge pedonale përgjatë luginës së Devollit.
  • Liqeni i Banjës i cili i ka rritur vlerat e atraksionit qytetit të Gramshit, ka një gjatësi prej gati 14.8km dhe aktualisht përdoret për peshkim dhe xhiro me skaf, por mund të akomodojë edhe sporte të tjera ujore.

 

Pas takimit me kryetaren e bashkisë Gramsh, u vijua vizita në territorin e bashkisë Gramsh. Vizita u përqendrua në Ujëvarën e Sotirës, i cili është monument natyre.