Atelier Albania

Atelier Albania është njësia laboratorike e kërkimit dhe jetësimit të prioriteteve pranë Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Qëllimi i Atelier Albania është të ofrojë një model të ri planifikimi i cili sfidon modelin tradicional të masterplaneve dhe planeve të hartuara në mënyrë qëndrore. Duke përdorur eksperiencën e konsulentëve tanë të huaj, bashkëpunimin me institucione publike dhe arsimore vendase dhe të huaja si dhe burimet teknike të Agjencisë, Atelier Albania tenton të përmirësojë planifikimin statik. Kjo njësi ka për qëllim pasurimin e punës së Agjencisë nëpërmjet inputeve konkrete dhe jokonvencionale për sa i përket planifikimit. Njëkohësisht AA ka për qëllim organizimin dhe ndjekjen e projekteve pilot, konkurseve ndërkombëtare të arkitekturës dhe urbanistikës si dhe aktiviteteve të hapura publike që synojnë të informojnë dhe promovojnë praktika inovative në arkitekturë dhe planifikim. Të gjitha këto detyra realizohen në bashkëpunim të ngushtë me aktorë të interesuar të institucioneve publike e private, organizata të shoqërisë civile, si dhe një serie me partnerë të mirënjohur e me ekspertizë të sprovuar në fushat e tyre profesionale. Në thelb Atelier Albania funksionon si një platformë ndërlidhëse midis projekteve interesante e inovative dhe ekspertizës lokale dhe të huaj që mundëson realizimin e implementimin e tyre. Për më shumë informacion mbi punën e Atelier Albania si dhe çdo ide, projekt apo propozimi për bashkëpunim, ju ftojmë të vizitoni faqen tonë në:

http://atelieralbania.planifikimi.gov.al